Angazhimi dhe pjesëmarrja e komunitetit në proceset vendimmarrëse të Vaut të Dejes, takim me përfaqësues të moshës së tretë

Këtë herë, patëm një takim shumë produktiv me një grup përfaqësuesish të moshës së tretë dhe përfaqësues nga Këshilli Bashkiak dhe Drejtoria e Shërbimit Social në Bashkinë Vau i Dejës.

Për disa prej të pranishmëve, ky ishte takimi i parë i kësaj natyre dhe u vlerësua nga ta mundësia që ju ofrua për një hapësirë të hapur për shprehje të lirë të shqetësimeve të tyre dhe ndërveprim me vendimmarrësit. Gjatë diskutimit, u vunë në pah disa nga sfidat më prioritare me të cilat ky target grup haset, duke u foksuar kryesisht tek ato social-ekonomike.

Ndër problematikat e parashtruara, lidheshin me:

  • Pamjaftueshmërinë e mbulimit të shpenzimeve të jetesës së përditshme nga pensioni i alokuar për ta.
  • Largimin e moshës së re dhe rritjen e numrit të të moshuarve që jetojnë të vetëm, pa perkujdesje, duke ndikuar negativisht në mospërfshirje apo edhe izolim social.
  • Mungesën e shërbimit 24 orë të ambulancës dhe të qënit të detyruar që shumë shërbime shëndetësore t’i marrin në Shkodër, duke rënduar më shumë në xhepin e tyre.
  • Cilësia e dobët e medikamenteve të rimbursueshme.
  • Mungesën e një qendre ditore në zonë ku të moshuarit mund të marrin shërbime të ndryshme ose qoftë edhe të kalojnë kohën në mënyrë aktive, që do t’ju ndikonte pozitivisht në shëndetin e tyre mendor.
  • Mungesa e shërbimit të transportit publik në zonë, që pengon pjesëmarrjen e tyre aktive si qytetarë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë Vau i Dejës u shprehën se ky target-grup është në fokus të tyre dhe përpiqen të identifikojnë në kohë problematikat duke kryer vizita në terren dhe duke mbajtur komunikim të rregullt me kryetarët e fshatrave. Janë vazhdimisht në përpjekje për të përçuar informacionin në format më të arritshme për ta, si edhe për të marrë parasysh dhe përçuar kërkesat e tyre tek vendimmarrësit qendorë. Megjithatë, kapaciteti i tyre vendimmarrës dhe problem-zgjidhës nuk është gjithmonë në nivelet e duhura, për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme.

Në përmbyllje, të dyja palët e pranishme, reflektuan për rritjen e përpjekjeve më domethënëse për inicimin e takimeve të rregullta konsultuese për pjesëmarrjen aktive të qytetarëve të moshës së tretë në nivel dialogu dhe partneriteti.

Ky takim u zhvillua në vijim të projektit “Rritja e Angazhimit të Komunitetit në Vaun e Dejës, për Zgjidhjen e Çështjeve Lokale”, me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokracinë e Ambasadës së SHBA në Tiranë.