Shqipëria bën hapa para në uljen e hendekut gjinor në paga – Fuqizimi i ekonomi i grave ndikon në zhvillimin e shoqërisë

Dekadat e fundit, pjesëmarrja e grave në tregun e punës është rritur ndjeshëm, megjithatë progresi për eliminim e hendekut gjinor mbetet i ngadaltë. Hendeku gjinor në paga përbën një tregues të rëndësishëm të barazisë ekonomike dhe sociale brenda një shoqërie.

Faktorët që ndikojnë që diferenca mes pagave të grave dhe burrave janë të shumtë. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rang global, faktorët që nxisin hendekun gjinor në paga mes grave dhe burrave janë të shumtë. Sipas ekspertëve, një ndër më kryesorët lidhet me tendencën që secila prej gjinive ka për t’u përqendruar në profesione dhe sektorë të ndryshëm. Gratë rezultojnë të mbi-përfaqësuara në sektorët me paga më të ulëta, si shërbimet dhe kujdesi, arsimi, sektori i biznesit të vogël – kryesisht shitjet me pakicë. Ndërkohë, që gratë deri më sot kanë qenë të nën-përfaqësuara në pozicionet drejtuese dhe menaxheriale, ku pagat janë dukshëm më të larta.

Edhe pse gratë arrijnë shpesh nivele të barabarta ose më të larta arsimore se burrat në fusha të caktuara, ato rezultojnë më pak të paguara kur hyjnë në tregun e punës. Kjo ndodh sepse fushat e studimit dhe punësimit të tyre, siç u përmend më lart, përqendrohen në sektorë më pak të paguar. Pikërisht për këtë arsye, vetë arsimimi i lartë i grave nuk mjafton për të eliminuar hendekun gjinor në paga.

Një tjetër faktor që ndikon në diferencat e pagave janë orët mesatare të punës me pagesë që burrat dhe gratë kryejnë. Gratë priren më shpesh se burrat të punojnë në punë me kohë të pjesshme. Shpesh kjo është një zgjedhje e detyruar, për shkak të numrit të lartë të orëve që u duhet t’u kushtojnë punëve të papaguara në familje për të përmbushur përgjegjësitë familjare, duke përfshirë kujdesin për fëmijët, të moshuarit apo familjarë të tjerë që kanë nevojë për përkujdesje. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, reduktimi i orëve të punës me pagesë dhe zëvendësimi i tyre me orë të gjata pune të papaguar në shtëpi ndikon ndjeshëm në të ardhurat vjetore të grave, duke ngadalësuar përparimin e tyre profesional krahasimisht me burrat.

Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në Shqipëri. Sipas INSTAT, gratë në Shqipëri shpenzojnë mbi 5 orë në ditë në punë të papaguara – rreth dy herë më shumë se gratë në vendet e BE – ndërsa burrat shqiptarë shpenzojnë mesatarisht 2 orë.

Një faktor i rëndësishëm lidhet me diskriminimin e drejtpërdrejtë ose të tërthortë në vendin e punës. Praktikat e punësimit, përcaktimi i pagave, ngritja në detyrë dhe vlerësimi i performancës shpesh shkojnë në favor të burrave pa një arsye të dukshme. Përveç këtyre faktorëve, kontribut të madh në krijimin dhe thellimin e hendekut në pagesa e kanë edhe mangësitë e konstatuara në politikat publike për mbështetjen e kujdesit ndaj fëmijëve – përmes ngritjes së çerdheve dhe kopshteve me kosto të përballueshme – si dhe mungesa e politikave miqësore për familjen. Po kështu, niveli i lartë i informalitetit në punësim, i cili prek më së shumti gratë dhe vajzat, ndikon që ato të kenë paga më të ulëta dhe të mbeten jashtë skemave të mbrojtjes sociale.

Kur këtyre faktorëve u shtohen edhe faktorë të tjerë ndërsektorialë, si aftësia e kufizuar, statusi socio-ekonomik, përkatësia etnike apo vendbanimi, hendeku gjinor në paga thellohet edhe më shumë.

Shqipëria, hapa të shpejtë drejt reduktimit të hendekut në paga

Sa i takon vendit tonë, vitin e fundit rezulton se pagat e grave u rritën më shpejt se ato të burrave, duke ndikuar në uljen e hendekut gjinor i cili në vitin 2024 u ngushtua në 4.9%, nga 6.2% që ishte një vit më parë. Megjithatë, në studimin e TFL “Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Grave në Shqipëri – Analizë e efikasitetit të politikave dhe fondeve publike” prezantuar në fillim të nëntorit, nënvizohet se hendeku mbetet më i lartë nga niveli historik më i ulët i konstatuar në vitin 2021, kur rezulton se ishte 4.5%.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, burrat u paguan mesatarisht 79.3 mijë lekë/muaj bruto, ndërsa gratë 75.4 mijë lekë. Ajo që vihet re është se për herë të parë evidentohet se gratë paguhen më shumë se burrat në katër grupe profesionesh: Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë; Drejtues administrativë dhe komercialë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; si dhe punëtorë shërbimi dhe ndihmës.

Shqipëria ka ecuri pozitive edhe krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, pasi në vitin 2024 hendeku gjinor në paga në Shqipëri është më i ulët nga ai i BE. Sipas EUROSTAT, për vitin 2023, hendeku gjinor në pagat e BE-së ishte 12.3%.

Megjithatë, statistikat zyrtare në Shqipërisë nuk ofrojnë ende informacion të detajuar sipas sektorëve publik dhe privat, gjë që kufizon analizën e plotë të shkaqeve të diferencave mes dy sektorëve. Sipas ekspertëve, sigurimi i të dhënave më të detajuara do të ofronte një panoramë më të qartë të situatës dhe do t’i vinte në ndihmë politikëbërësit të ndërmerrnin masa konkrete për reduktimin e hendekut në paga mes gjinive në të dy sektorët, si atë publik, ashtu edhe privat.

Sociologia Marsi Simo vë në dukje se fuqizimi ekonomik është i rëndësishëm si për gruan, ashtu edhe për burrin.

“Gratë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë dhe duhet të trajtohen me të njëjtën përparësi. Nxitja dhe zhvillimi i grave do sillte rritje të pavarësisë financiare, autonomi për to, dhe rrjedhimisht zhvillim të shoqërisë. Gratë e fuqizuara kontribuojnë gjithashtu më shumë në edukimin e fëmijëve.”

Sociologia thekson se fuqizimi ekonomik i grave jo vetëm që rrit pavarësinë individuale, por ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë: gratë e fuqizuara kontribuojnë më shumë në edukimin e fëmijëve, përmirësojnë mirëqenien e familjeve dhe ndihmojnë në rritjen ekonomike të vendit.

Përtej arritjeve të konstatuara, hendeku gjinor në paga mbetet ende një sfidë e rëndësishme për fuqizimin e grave në Shqipëri. Ndërsa janë bërë hapa për të ngushtuar këtë diferencë, janë të nevojshme politika të qëndrueshme, investime në arsim dhe mbështetje sociale për të ndërtuar një shoqëri të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Fuqizimi ekonomik dhe social i grave është thelbësor për një Shqipëri më të drejtë, për zhvillim të qëndrueshëm dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.

* Ky publikim është përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes Themelore, i mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze në Tiranë . Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës Suedeze në Tiranë.