Nga reforma në realitet: Sfidat e politikave për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Në vitet e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt reformimit të politikave për personat me aftësi të kufizuara (PAK), duke synuar kalimin nga një model tradicional, mbështetur kryesisht trajtimin mjekësor dhe financiar, drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse të bazuar në të drejtat e njeriut. Në qendër të këtij transformimi qëndron zbatimi i modelit bio-psiko-social të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, një reformë e konsideruar thelbësore për të garantuar trajtim më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe më të individualizuar.

Megjithatë, sipas të dhënave të raportit “Mbi efektet e zbatimit të skemës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar bazuar në modelin bio-psiko-social” – publikuar nga Together for Life (TFL), me mbështetjen e financiare të Ambasadës së Suedisë në Tiranë – kjo reformë, ndonëse e rëndësishme në koncept, ka prodhuar një sërë problematikash në praktikë, veçanërisht në lidhje me aksesin në përfitime dhe drejtësinë e procesit të vlerësimit.

Raporti evidenton se ndryshimet në metodologjinë e vlerësimit kanë ndikuar drejtpërdrejt në numrin e përfituesve, ndërsa buxheti i dedikuar për skemat e mbështetjes është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Pra, më shumë fonde në dispozicion, por më pak individë përfititues. Në mungesë të analizave të thelluara dhe të dhënave të disagreguara që ofrohen nga burimet publike, mbetet e paqartë nëse kjo rënie lidhet me përmirësim të targetimit apo me përjashtim të padrejtë të individëve në nevojë.

Ajo që bie në sy, edhe pesë vjet pas aplikimit të skemës së re është se struktura e shpenzimeve për aftësinë e kufizuar në Shqipëri vazhdon të dominohet nga pagesat direkte në cash për vetë personat PAK dhe kujdestarët e tyre. Edhe pse këto pagesa janë jetike për mbijetesën ekonomike të kësaj kategorie vulnerabël, ato nuk shoqërohen me investime të mjaftueshme në shërbime që nxisin integrimin social dhe ekonomik, si punësimi, arsimi gjithëpërfshirës apo rehabilitimi. Sipas raportit të TFL, kjo qasje e njëanshme e mban sistemin të mbërthyer në një logjikë kompensimi financiar, pa adresuar shkaqet strukturore të përjashtimit.

Një tjetër shqetësim i ngritur në Raport lidhet me transparencën dhe monitorimin e skemës. Të dhënat zyrtare shpesh nuk ofrojnë një ndarje të qartë midis kategorive të përfituesve, nuk pasqyrojnë dallimet sipas llojit të aftësisë së kufizuar dhe nuk japin informacion të mjaftueshëm mbi efektet konkrete të reformës bio-psiko-sociale. Kjo mungesë transparence e bën të vështirë jo vetëm vlerësimin e drejtë të politikave, por edhe hartimin e ndërhyrjeve të reja të bazuara në evidencë.

Në aspektin financiar, edhe pse fondet janë rritur, niveli i përfitimeve vazhdon të mbetet i ulët në raport me koston e jetesës. Pagesat për PAK përbëjnë një përqindje të vogël të pagës mesatare dhe minimale, duke mos garantuar një standard jetese dinjitoz. Siç nënvizon raporti pagesat për PAK përbëjnë vetëm 10–21% të pagës mesatare dhe 22–44% të pagës minimale. Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, ku përfitimet arrijnë 30–40% të pagës mesatare, mbështetja në Shqipëri është dukshëm më e ulët. Ky është një tregues se, pavarësisht rritjes nominale, mbështetja financiare nuk garanton një standard jetese dinjitoz dhe mbetet larg objektivit të pavarësisë ekonomike të personave me aftësi të kufizuara. Pra, rritja nominale e buxhetit nuk nuk është përkthyer në përmirësim real të mirëqenies së përfituesve.

Në thelb, gjetjet e raportit të Together for Life ngrenë pikëpyetje të rëndësishme mbi drejtimin aktual të politikave për PAK në Shqipëri. Reforma e vlerësimit bio-psiko-social mbetet një hap pozitiv në parim, por zbatimi i saj kërkon rishikim të thelluar për të shmangur përjashtimin dhe për të garantuar barazi reale.

Pa një ribalancim të politikave, duke zhvendosur fokusin nga ndihma pasive drejt shërbimeve aktive dhe përfshirjes dhe pa një sistem më transparent dhe të besueshëm monitorimi, ekziston rreziku që reformat të mbeten më shumë formale sesa transformuese. Në këtë kontekst, raporti i TFL shërben si një thirrje e qartë për reflektim institucional dhe për një qasje më të drejtë, efektive dhe gjithëpërfshirëse ndaj personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

* Ky publikim është përgatitur nga Together for Life në kuadër të Programit të Mbështetjes Themelore, i mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze në Tiranë. Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës Suedeze në Tiranë.